Banorët e Mumbait në Indi janë tronditur kur kanë vërejtur se në rrugët e qytetit të tyre po shëtisnin disa qen me ngjyrë blu. Në fillim ata mendonin se dikush bënte “shaka” me këto kafshë, por e vërteta është ndryshe, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. Gjegjësisht, siç thuhet më tej, qentë para se të ndryshonin ngjyrën, hynë në lumin lokal Kassadi për të rifreskuar veten. Megjithatë, pasi lumi ishte i ndotur, këto kafshë, pas largimit nga uji, morën një ngjyrë të ndritshme, ngjyrë qielli. Kjo gjë thuhet se ka zemëruar aktivistë të të drejtave të kafshëve. “Është tronditëse të shohësh se si qeni i bardhë u kthye në blu. Regjistruam pothuajse pesë qen të tillë dhe i kërkuam komitetit të kontrollit të ndotjes, që të vepronte kundër industrive të tilla”, ka thënë Zyrtari për Mbrojtjen e Kafshëve, Arati Chauhan. Zyrtarët u njohën me këtë problem dhe një test u krye shpejt për të përcaktuar masën në të cilën zona ishte e ndotur.